Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot mbajti fjalim në mbledhjen e Grupit Sektorial të Punës për reforma në administratën publike, duke theksuar rolin kyç të reformave në avancimin e efikasitetit institucional dhe progresin e integrimit evropian të shtetit. Ai vuri në dukje se reagimi pozitiv nga Komisioni Evropian përfaqëson një mirënjohje të rëndësishme për përpjekjet e deritanishme dhe një nxitje shtesë për forcimin e procesit reformues.
Në fjalimin e tij, ministri nënvizoi se administrata publike zë një vend qendror në agjendën reformuese dhe ka një rol thelbësor në sigurimin e institucioneve funksionale dhe shërbimeve cilësore.
"Ky është një konfirmim i fuqishëm se po lëvizim në drejtimin e duhur, por edhe një motiv shtesë për të vazhduar me një dinamikë edhe më të madhe në procesin e reformave," theksoi Minçev.
Ai theksoi se implementimi i Strategjisë për Reformën e Administratës Publike 2023–2030 po zhvillohet me një shkallë të lartë realizimi, me ç'rast janë zbatuar 84% e aktiviteteve të parashikuara. Paralelisht, siç theksoi, është vendosur një kornizë e re sistemore përmes zgjidhjeve kyçe ligjore, me të cilat po ndërtohet një sistem i integruar, i bazuar në meritë dhe i profesionalizuar, i orientuar drejt rezultateve dhe rritjes së integritetit institucional.
Një theks i veçantë në fjalimin e tij iu kushtua zhvillimit të burimeve njerëzore, menaxhimit të cilësisë dhe transformimit digjital, si dhe nevojës për zbatim të qëndrueshëm të reformave.
“Përkundër bazës së fortë normative dhe institucionale që kemi ndërtuar, sfida më e madhe mbetet zbatimi i qëndrueshëm dhe cilësor i reformave”, theksoi ministri, duke shtuar se fokusi në periudhën e ardhshme do të vihet në operacionalizimin e kornizës ligjore dhe arritjen e rezultateve konkrete.
Ministria e Administratës Publike mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj agjendës reformuese dhe ofrimit të rezultateve të matshme.
“Mesazhi ynë për partnerët është i qartë: nevojitet mbështetje e koordinuar, e targetuar dhe e orientuar drejt implementimit, e cila do të prodhojë rezultate reale, të matshme dhe të qëndrueshme”, theksoi Goran Minçev, duke nënvizuar se qëllimi përfundimtar është që reformat të shndërrohen në përfitime të dukshme për qytetarët dhe përshpejtimin e rrugës evropiane të shtetit.