Minçev – Žarić Kovaçeviq: Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit

Minçev – Žarić Kovaçeviq: Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, dhe ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Serbisë, Jelena Žarić Kovaçeviq, nënshkruan sot në Shkup një Memorandum Bashkëpunimi në fushën e reformës së administratës publike, me qëllim të përmirësimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

 

Memorandumi parasheh inkurajim të ndërsjellë, lehtësim dhe përfshirje në bashkëpunim, shkëmbim të ekspertizës në fushën e reformave të administratës publike, përfshirë zhvillimin e politikave, strategjive dhe rregulloreve në menaxhimin e burimeve njerëzore në administratën publike, ofrimin e trajnimeve profesionale, menaxhimin e cilësisë, zhvillimin e mëtejshëm të sistemit informativ për menaxhimin e burimeve njerëzore, vendosjen e mjeteve inovative në administratë, si dhe pjesëmarrje të ndërsjellë dhe partneritet në projekte.

 

Ministri Minçev theksoi rëndësinë e këtij memorandumi, duke vënë në pah se ai përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në bashkëpunimin rajonal:
“Nënshkrimi i këtij memorandumi është një shprehje e përkushtimit të përbashkët për modernizimin e administratës publike dhe mbështetjen e reformave si motor i përparimit ekonomik dhe shoqëror. Besoj se ky bashkëpunim do të na mundësojë të ndajmë praktikat më të mira dhe të gjejmë zgjidhje inovative për sfidat me të cilat përballemi në sektorin publik.”

 

Duke shprehur kënaqësinë për marrëveshjen e nënshkruar, ministrja Žarić Kovaçeviq theksoi se Memorandumi është një bazë për afrimin dhe forcimin e të dy administratave, duke pritur që ai të mundësojë zhvillim më të shpejtë dhe më intensiv të administratës publike në të dyja vendet.


“Në këtë mënyrë, Republika e Serbisë dhe Republika e Maqedonisë po nxisin modernizimin dhe po thellojnë bashkëpunimin në fusha kyçe të reformës së administratës publike. Bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i praktikave të mira janë thelbësore për forcimin e burimit tonë më të rëndësishëm – kapitalit njerëzor – dhe për përmirësimin e integrimit evropian,” tha Žarić Kovaçeviq.

 

Kujtojmë se gjatë takimit të ministrit Minçev me ministren Žarić Kovaçeviq në margjinat e konferencës së Shkollës Rajonale për Administratë Publike (ReSPA), të mbajtur në Lubjanë në tetor të këtij viti, u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët, që rezultuan me nënshkrimin e këtij Memorandumi Bashkëpunimi.

Accessibility Menu