Ministri Minçev mikpritës i Konferencës vjetore ministrore të ReSPA në Shkup

Ministri Minçev mikpritës i Konferencës vjetore ministrore të ReSPA në Shkup

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, është mikpritës i Konferencës Vjetore Ministrore të ReSPA, e cila i kushtohet temës “Qeverisja dhe Inovacioni i Gjeneratës së Ardhshme në Administratën Publike.”

 

Në konferencë morën pjesë ministra të administratës publike nga vendet anëtare të ReSPA-s, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe partnerë të tjerë të rëndësishëm.

 

Vlerë të shtuar konferencës i dha prania dhe fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, Sh.T. Hristijan Mickoski, i cili konfirmoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformës së administratës publike dhe shprehu mirënjohje për përpjekjet e ReSPA-s për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në strukturat evropiane.

 

Në fjalën e tij, Ministri Minçev theksoi rolin e rëndësishëm të administratës publike si shtytës i zhvillimit dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Ai nënvizoi se reformat janë thelbësore për ofrimin e shërbimeve publike efektive, efikase dhe gjithëpërfshirëse. Ai prezantoi gjithashtu Strategjinë e re për Reformën e Administratës Publike të Republikës së Maqedonisë, e cila ndërtohet mbi përvojat e mëparshme dhe përfshin mjete inovative për ndjekjen e zbatimit të reformave.

 

“Këtu në Republikën e Maqedonisë, Ministria e Administratës Publike është plotësisht e përkushtuar për përfundimin e një kornize të fortë ligjore për shërbyesit civilë, për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të tyre dhe për përshpejtimin e digjitalizimit në të gjitha sektorët. Këto reforma janë tërësisht në përputhje me përpjekjet e ReSPA-s për të integruar administratat e Ballkanit Perëndimor në platformat dhe instrumentet e BE-së si DISPA, EUPAN, Compact dhe TSI,” deklaroi ministri Minçev.

 

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit në modernizimin e sektorit publik, duke theksuar se në Republikën e Maqedonisë po zbatohen projekte të rëndësishme për e-qeverisjen, si dhe përmirësimin e sistemeve të menaxhimit të arkivave dhe regjistrave në përputhje me standardet e BE-së, të cilat synojnë të rrisin transparencën dhe efikasitetin e administratës publike.

 

Fokusi i konferencës ishte diskutimi i nivelit ministror, ku Ministri Minçev nënvizoi nevojën për krijimin e një kulture inovacioni dhe përmirësimi të vazhdueshëm në sektorin publik. Ai mirëpriti iniciativat rajonale të ReSPA-s, të cilat ofrojnë mundësi për ngritjen e kapaciteteve të shërbyesve civilë dhe nxisin reforma përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

“Lidershipi në inovacion nuk ka të bëjë vetëm me aplikimin e teknologjive të reja. Bëhet fjalë për kultivimin e një vizioni të përbashkët, forcimin e fuqisë punëtore dhe nxitjen e bashkëpunimit në të gjitha nivelet. Si liderë, duhet të sigurojmë që inovacioni të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët tanë, duke e bërë qeverisjen më gjithëpërfshirëse, më transparente dhe më të përgjegjshme,” shtoi ministri Minçev.

 

Ai gjithashtu theksoi se për Republikën e Maqedonisë, reformat në administratën publike janë prioritet strategjik dhe se vendi do të vazhdojë të punojë për modernizimin e sektorit publik përmes inovacionit dhe digjitalizimit, me qëllim ofrimin e shërbimeve më efikase dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët.

 

Në konferencë u ndanë “Çmimet për Administratën Publike në Ballkanin Perëndimor 2024” dhe u prezantuan shembuj të suksesshëm të iniciativave rajonale dhe arritjeve të ReSPA-s gjatë vitit të fundit, duke theksuar rëndësinë në rritje të kësaj organizate në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Accessibility Menu