Në seancën e sotme parlamentare për pyetjet e deputetëve, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, dha një përgjigje të qartë ndaj pyetjeve dhe akuzave të deputetit të BDI-së, Blerim Bejxheti, duke bërë thirrje për transparencë, dialog konstruktiv dhe përkushtim ndaj reformave në administratën publike.
Në fjalimin e tij, ministri Minçev shprehu shqetësimin për, siç tha ai, hipokrizinë e disa aktorëve politikë, duke theksuar qëndrimet kontradiktore të BDI-së në lidhje me strategjinë e reformës në administratën publike.
“Ju që deklaroheni si mbrojtës të të drejtave të komuniteteve etnike, në korrik 2023, në një mbledhje të Qeverisë ku morën pjesë edhe ministra nga BDI, miratuat një strategji që vendos profesionalizmin, kompetencën dhe barazinë gjinore si kritere primare për punësim dhe avancim, duke konstatuar njëkohësisht edhe abuzimin e mjetit digjital ‘Balancer’,” – tha Minçev.
Ai sqaroi se vendimi për heqjen e “Balancer-it” është marrë nga Gjykata Kushtetuese dhe Ministria nuk ka mandat të komentojë apo kontestojë vendime të tilla.
“BDI, në vend që të diskutojë për çështje thelbësore dhe politika zhvillimore, zgjodhi të dramatizojë situatën me akuza për gjoja shkelje të të drejtave etnike. Përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese dhe do të mbetet i tillë. Ligji i ri që do ta propozojë Qeveria do të hartohet nga ekspertë dhe do të ketë bazë afatgjate,” – theksoi Minçev.
Ministri Minçev shtoi se sipas të dhënave, përqindja e punësimeve etnike ka qenë më e lartë para zbatimit të “Balancer-it” (2001–2015) sesa gjatë periudhës së zbatimit të tij (2015–2024), duke theksuar se abuzimet me këtë mjet kanë shkaktuar shqetësim dhe kritika, të përmendura edhe në raportet e Komisionit Evropian.
“Është koha të fokusohemi në çështje reale për zhvillimin e Maqedonisë. Ligji i ri do të jetë cilësor, afatgjatë dhe i mbështetur nga Komisioni i Venecias. Vetëm me një qasje të tillë mund të ndërtojmë një administratë publike të qëndrueshme dhe të drejtë,” – përfundoi ai.