Ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, znj. Angela Aggeler, dhe Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, zhvilluan sot një takim produktiv ku theksuan marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme mes dy vendeve si dhe përkushtimin e përbashkët për të promovuar qeverisjen e mirë dhe një administratë publike efektive dhe të depolitizuar.
Takimi u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe eksplorimin e mundësive për bashkëpunim në administratën publike dhe qeverisje.
Ambasadorja Aggeler dhe ministri Minçev diskutuan për iniciativa për përmirësimin e shërbimeve publike dhe digjitale, si dhe për promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në institucionet qeveritare.
Ambasadorja Aggeler shprehu fuqishëm përkushtimin për të mbështetur përpjekjet e vendit për modernizimin e administratës publike dhe theksoi rëndësinë e partneritetit të vazhdueshëm mes dy kombeve.
Të dyja palët u pajtuan për nevojën e dialogut dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të avancuar interesat e përbashkëta. Gjithashtu, ministri Minçev theksoi rëndësinë e dialogut të hapur ndërmjet të gjitha palëve të interesuara në marrjen e vendimeve për zgjidhjet ligjore aktuale dhe të ardhshme.
Ministri Minçev theksoi vullnetin e fortë për reformat në administratën publike dhe përshëndeti mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara.