Ministri i Administratës Publike, Goran Minčev, sot pati një takim produktiv me Armen Grigoryan, Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Takimi u fokusua në përpjekjet e përbashkëta për përmirësimin e shkrim-leximit digjital, përmirësimin e aftësive të punonjësve në administratën publike përmes implementimit të programeve inovative të trajnimit dhe përmirësimin e Sistemit të Menaxhimit të Mësimit (LMS).
Qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i Sistemit të Menaxhimit të Mësimit (LMS), i cili do të shërbejë si bazë për krijimin dhe ofrimin e programeve online të trajnimit të përshtatura për punonjësit e administratës publike në të gjithë vendin.
Projekti përfshin trajnime të synuara për shkrim-leximin digjital të dizajnuara për të kapërcyer hendekun digjital dhe për të siguruar që të gjithë qytetarët, pavarësisht nga lokacioni i tyre apo statusi socio-ekonomik, të kenë mundësinë të marrin pjesë dhe të përfitojnë nga transformimi digjital në vazhdim.
Ministri Minčev shprehu falënderim për zyrën e UNDP për mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti për avancimin e agjendës digjitale në vendin tonë.
"Ky projekt është një mundësi e shkëlqyer për të pajisur administratën publike me mjetet dhe njohuritë e nevojshme për t’u përballur me sfidat e epokës digjitale," tha Ministri Minčev.
Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP, Grigoryan, theksoi angazhimin e UNDP për të mbështetur përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në avancimin e aftësive dhe shkrim-leximit digjital. Ai theksoi se ky projekt është pjesë e një strategjie më të gjerë për të siguruar që transformimi digjital të jetë inkluziv dhe të mos lërë pas asnjë person.
"Jemi të kënaqur që jemi partnerë me Ministrinë e Administratës Publike në këtë projekt kyç. Së bashku, mund të ndërtojmë një sektor publik më të qëndrueshëm dhe më të kualifikuar, ndërkohë që të adresojmë hendekun digjital në zonat rurale dhe të largëta," theksoi Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP.
Zhvillimi i sistemit LMS dhe implementimi i programeve online të trajnimit pritet të fillojnë në muajt e ardhshëm, me fokus në qëndrueshmëri dhe përshtatshmëri për të siguruar ndikim afatgjatë.
Përmes partneriteteve strategjike dhe projekteve inovative, Ministria e Administratës Publike është e angazhuar për realizimin e qëllimeve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe forcimin e efikasitetit, transparencës dhe aftësive digjitale të sektorit publik. Qëllimi përfundimtar i Ministrisë së Administratës Publike është të promovojë një administratë publike të aksesueshme, moderne dhe inkluzive.