Në organizim të Ministrisë së Administratës Publike dhe Shoqatës së Njësive të Pushtetit Lokal (ZELS), sot u mbajt një diskutim publik i dedikuar për reformat ligjore në administratën publike, në kuadër të fushatës “TË GJITHË SË BASHKU PËR NJË ADMINISTRATË PUBLIKE PROFESIONALE DHE KUALITETORE”. Në ngjarje morën pjesë përfaqësues nga pushtetet lokale dhe Ministria e Administratës Publike, të cilët diskutuan së bashku për sfidat dhe mundësitë në përmirësimin e propozimeve të ligjeve për administratën publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e transparencës, përgjegjësisë dhe efikasitetit si parime kyçe në menaxhimin e burimeve njerëzore. Ai theksoi se reformat ligjore janë të domosdoshme për modernizimin e administratës publike dhe për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.
“Kjo ngjarje është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer mendime, për të nxjerrë propozime dhe për të përcaktuar hapa konkretë për përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon administratën publike, përfshirë edhe administratën lokale. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një administratë më efikase dhe transparente, që do të jetë në shërbim të qytetarëve”, tha Ministri Minçev.
Ai gjithashtu theksoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë midis pushtetit qendror dhe atij lokal në procesin e përgatitjes dhe zbatimit të reformave, me qëllim që të sigurohen shërbime të barabarta dhe cilësore për të gjithë qytetarët, duke pasur parasysh se pushteti lokal është niveli i autoritetit më të afërt me qytetarët dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në nevojat e përditshme të tyre.
Në ngjarje morën fjalë Ministri i Pushtetit Lokal, Zlatko Perinski, dhe Presidenti i ZELS, Orce Gjorgievski.
Ngjarja solli rekomandime që do të jenë baza për aktivitete dhe propozime të mëtejshme për ndryshimet ligjore të Projektligjit për Punonjësit Administrativë, Projektligjit për Punonjësit në Sektorin Publik dhe Projektligjit për Përsosjen Profesionale dhe Trajnimin e Punonjësve Administrativë, të cilat janë të orientuara në forcimin e kapaciteteve të administratës publike, me qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.