Me ftesë të Konfederatës së Sindikatave të Lira (KSS), zëvendësministri për administratë publike, Laze Jakimoski, mori pjesë në Konferencën e 1 Majit me titull:
“Të drejtat e punëtorëve në kohë ndryshimesh: Së bashku drejt një tranzicioni të drejtë dhe administrate efikase”, me fokus të veçantë në Ligjin e ri për shërbyesit administrativë dhe nevojën për miratimin e një Ligji të ri për të punësuarit në sektorin publik.
Konferenca u moderua nga Kryetari i KSS-së, Blagoj Ralpovski, ndërsa folës të tjerë ishin deputeti Bojan Stojanoski dhe Prof. Dr. Ivana Shumanovska-Spasovska nga Fakulteti Juridik “Justinian i Parë.”
Në fjalën e tij, zëvendësministri Jakimoski theksoi pikat në vijim:
-
Përgatitja e kornizës së re ligjore për shërbyesit administrativë, të punësuarit në sektorin publik dhe zhvillimin profesional është në një fazë të avancuar, pas konsultimeve publike të përfunduara përmes platformës ENER dhe analizës së detajuar të komenteve nga të gjitha palët e interesuara.
-
Ministria ka një synim të qartë: ligjet të miratohen nga Qeveria deri në fund të majit dhe më pas të dorëzohen në Kuvend.
-
Sipas tij, debatet publike konfirmuan se rregulloret ekzistuese janë të vjetruara dhe jo mjaftueshëm efikase, dhe se rregullativa e re duhet të përqendrohet në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe drejtësisë në administratën publike.
-
Ndër risitë kryesore në Ligjin për shërbyesit administrativë janë: përfshirja e Agjencisë për Administratë si organ brenda Ministrisë, tërheqja e kuadrove të rinj, politika për mbajtjen e stafit, futja e punës nga distanca, procedurë e shkurtuar për punësim, mentorim dhe qasje motivuese në vlerësimin e të punësuarve.
-
Në Ligjin për të punësuarit në sektorin publik parashikohet: përmirësimi i mobilitetit, avancimi i menaxhimit të burimeve njerëzore, rregullimi i punësimeve të përkohshme dhe unifikimi i procedurave të punësimit.
Jakimoski theksoi se bëhet fjalë për zgjidhje tërësisht të reja ligjore, e jo për ndryshime të ligjeve ekzistuese, me qëllim të qartë – ndërtimin e një administrate profesionale, efikase dhe të orientuar drejt shërbimit për qytetarët.
Ministria për administratë publike mbetet e përkushtuar ndaj një procesi reformash gjithëpërfshirës dhe transparent, në bashkëpunim të ngushtë me sindikatat, institucionet dhe sektorin civil.